Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, po e përkrahë vendimin e partisë së tij për nominimin e Avdullah Hotit në postin e kryeministrit të vendit.
Selmanaj lavdëroi Hotin, duke e cilësuar njeri punëtor dhe që do të mund t’i del ballë çështjeve të rëndësishme që vendi i ka para.
“Avdullah Hoti është ndër figurat më të kompletuara në LDK. Aq sa unë e njoh, ai është një ndër njerëzit më punëtorë që kam takuar, por edhe më me përkushtim, që është në gjendje të punojë 15-16 orë”.
Ndërkaq sa i përket hapave që po ndërmerren me partnerët e koalicionit, ai tha se janë në fazën e konsultimeve: “Bisedimet janë në fazën konstruktive, po i diskutojmë detajet për profilet e ministrave dhe ministrive se si do të ndahen, etj,. Duhet të them se konsultimet janë në rrugë të mbarë dhe në frymën shumë konstruktive”.
“Jemi marr vesh për shumë pajtime në bashkëpunim dhe tash është faza e kompletizimit të bashkëpunimit. Nuk besoj që do të merr shumë kohë, jemi shumë afër”.
“E para është menaxhimi i Covid-19, rimëkëmbja ekonomike, dialogu dhe rikthimi i partneritetit të fuqishëm me ShBA-të”. Hoti mund t’i del në ballë këtyre çështjeve”.
“Kurti tashmë është zbuluar i tëri dhe populli po e sheh lojën e tij. Ai tash po del dhe flet me standarde të dyfishta”, deklaroi Selmanaj, duke iu referuar deklarimeve të vitit 2014 të kryeministrit në detyrë.
“LDK e respekton në përpikëri secilin institucion kushtetues në Kosovë. Çka do që thotë Gjykata Kushtetuese ne do ta respektojmë. Kushdo që vlerëson që është shkelur rendi kushtetues, e ka mundësinë që të apelojë dhe ta merr vendimin nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është subjekti politik ai që duhet të interpretojë”, ka thënë Selmanaj në Info Magazinë.
I pyetur në lidhje me vendimet e bashkëpartiakes së tij, Vjosa Osmanit, në lidhje me këtë situatë, Selmanaj u shpreh se “Vendimet e LDK-së asnjëherë nuk janë reduktuar në emra të përveçëm. LDK është shtëpi e madhe dhe si e tillë do të funksionojë. Nuk guxon askush ta përcaktojë fatin e një subjekti. Askush s’mund të vendosë për fatin e LDK-së individualisht”.