Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin nuk përjashton mundësinë që serbët në Kosovë të rebelohen nëse, sipas tij, kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, vazhdon me përpjekjet që t’i përçajë ata.
“Me përpjekjet e tij për t’i ndarë serbët në Kosovë dhe për t’i gjetur ata për të cilët Tirana është më afër se Beogradi, Albin Kurti rrezikon jo vetëm që serbët t’i braktisin institucionet e Prishtinës, por edhe për rebelimin e tyre të hapur. Prishtina, krahas vendeve që e kanë njohur Kosovën, kërkon që serbët të ndalojnë së dëgjuari Beogradin. Le të kenë kujdes çfarë të duan, sepse dëshira e tyre mund të përmbushet”, citojnë mediat serbe deklaratën e Vulinit.
“Nëse serbët do të marrin vendime pa Beogradin, vështirë se në veri të kosovës do të ketë ndonjë pjesëtarë të të policisë së Kosovës”, tha Vulin.
“Nëse Kurti e dëgjon Gjilasin dhe emëron Rada Trajkoviqin [në Qeverinë e Kosovës], ose një nga serbët që nuk morën votuat [në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë] dhe që nuk është në Listën Serbe, ai do të marrë përgjegjësinë për gjithçka që do të ndodhë në Kosovë”, e paralajmëron ministri serb Kurtin dhe përfaqësuesit e partive shqiptare në Kosovë, të cilët do të anashkalojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të vendosin se cilët do të jenë përfaqësuesit legjitimë të serbëve në Kosovë.